Informacion për Takimin çelës të Projektit

“Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”

Në dt. 23 Janar 2015, në sallën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) u zhvillua Takimi për çeljen e Projektit “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”, në kuadrin e Programit ERASMUS+ për Shqipërinë, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian.

Në takimin çelës të këtij Projekt pati një pjesmarrje të gjerë të aktorëve që veprojnë në fushën e Arsimit dhe Formimit Profesional.

Ky Projekt, me një kohëzgjatje dyvjeçare, synon: (i) analizimin e gjendjes ekzistuese në lidhje me praktikat e nxënësve në biznese; (ii) hartimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e skemës së arsimit profesional dual (shkollë-biznes) dhe (iii) pilotimin e skemës së çirakërisë në sektorin e hoteleri-turizmit (për kuzhinier dhe recepsionist).

Projekti angazhon disa partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë: Agjencia Kombëtare e AFP dhe Kualifikimeve (partner udhëheqës), Instituti i Hamburgut (Gjermani) për Arsim profesional, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Shoqata e Turizmit Shqiptar (ATA), Shkolla e Hoteleri-turizmit, Tiranë, Shkolla Profesionale e Kamzës dhe Shkolla e Gastronomisë, Hamburg.

Ministri i MMSR, z. Erion Veliaj, theksoi faktin që ky projekt hedh një hap i rëndësishëm në zbatimin e modelit dual gjerman në shkollat tona profesionale. “Nëse shikojmë atë që ndodhi në BE, kriza ekonomike erdhi si një zile alarmi dhe na bëri të kuptojmë se vendet e vetme që nuk u prekën prej saj ishin vendet gjermanike, të cilat kishin bërë një zgjedhje inteligjente: u fokusuan tek arsimi profesional dhe sistemi dual, sipas të cilit gjysmën e kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe gjysmën pranë një kompanie”

Ndërsa Zëvendësministrja e MMSR, znj. Gentiana Sula, duke falenderuar për ndihmën teknike e financiare të Bashkimit Europian, shprehu bindjen se ky Projekt do të mundësojë “zhvillimin e një modeli të qëndrueshëm të zbatimit të skemave të çirakërisë moderne në Shqipëri, si dhe do të institucionalizojë zhvillimin e një oferte cilësore të arsimit dhe formimit profesional, për tu mundësuar të rinjve integrimin e suksesshëm në tregun e punës”.

Në takim u bënë prezantime nga partnerët e projektit dhe përshëndetën përfaqësues të Bashkimit Europian, të Ambasadës Gjermane dhe të Programit ERASMUS në Shqipëri.

Në fund të takimit u zhvillua ceremonia e firmosjes së Marrëveshjes së Partneritetit nga të gjithë partnerët e Projektit.

Organizimi dhe realizimi me sukses i Takimit çelës të Projektit “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri” u mbështet nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

The European Commission support for the production of this publication does not constitute endorsement of the contents which reflects the views only of the authors, and the Commission cannot be held responsible for any use which may be made of the information contained therein.