AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

[ivory-search id=”1574″ title=”test”]

Informacion për Takimin çelës të Projektit

  1. Home
  2. /
  3. Veprimtari
  4. /
  5. Informacion për Takimin çelës…
“Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri” Në dt. 23 Janar 2015, në sallën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) u zhvillua Takimi për çeljen e Projektit “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”, në kuadrin e Programit ERASMUS+ për Shqipërinë, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Në takimin çelës të këtij Projekt pati një pjesmarrje të gjerë të aktorëve që veprojnë në fushën e Arsimit dhe Formimit Profesional. Ky Projekt, me një kohëzgjatje dyvjeçare, synon: (i) analizimin e gjendjes ekzistuese në lidhje me praktikat e nxënësve në biznese; (ii) hartimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e skemës së arsimit profesional dual (shkollë-biznes) dhe (iii) pilotimin e skemës së çirakërisë në sektorin e hoteleri-turizmit (për kuzhinier dhe recepsionist). Projekti angazhon disa partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë: Agjencia Kombëtare e AFP dhe Kualifikimeve (partner udhëheqës), Instituti i Hamburgut (Gjermani) për Arsim profesional, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Shoqata e Turizmit Shqiptar (ATA), Shkolla e Hoteleri-turizmit, Tiranë, Shkolla Profesionale e Kamzës dhe Shkolla e Gastronomisë, Hamburg. Ministri i MMSR, z. Erion Veliaj, theksoi faktin që ky projekt hedh një hap i rëndësishëm në zbatimin e modelit dual gjerman në shkollat tona profesionale. “Nëse shikojmë atë që ndodhi në BE, kriza ekonomike erdhi si një zile alarmi dhe na bëri të kuptojmë se vendet e vetme që nuk u prekën prej saj ishin vendet gjermanike, të cilat kishin bërë një zgjedhje inteligjente: u fokusuan tek arsimi profesional dhe sistemi dual, sipas të cilit gjysmën e kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe gjysmën pranë një kompanie” Ndërsa Zëvendësministrja e MMSR, znj. Gentiana Sula, duke falenderuar për ndihmën teknike e financiare të Bashkimit Europian, shprehu bindjen se ky Projekt do të mundësojë “zhvillimin e një modeli të qëndrueshëm të zbatimit të skemave të çirakërisë moderne në Shqipëri, si dhe do të institucionalizojë zhvillimin e një oferte cilësore të arsimit dhe formimit profesional, për tu mundësuar të rinjve integrimin e suksesshëm në tregun e punës”. Në takim u bënë prezantime nga partnerët e projektit dhe përshëndetën përfaqësues të Bashkimit Europian, të Ambasadës Gjermane dhe të Programit ERASMUS në Shqipëri. Në fund të takimit u zhvillua ceremonia e firmosjes së Marrëveshjes së Partneritetit nga të gjithë partnerët e Projektit. Organizimi dhe realizimi me sukses i Takimit çelës të Projektit “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri” u mbështet nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).