Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), në mbështetje të Ligjit nr.7850, datë 29.07.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 659, 850 – 876, Ligjit nr.69, datë 21.06.2012, “Për Sistemin Arsimor Para universitar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Ligjit nr. 15/2017, datë 16.02.2017 “Për  Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit nr. 23/2018 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, Ligjit nr.9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, i ndryshuar, Ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, VKM nr. 673 datë 16.10.2019 “Për organizimin dhe funksionimin e AKAFPK-së”, Rregulloren e brendshme e AKAFPK-së me nr. 33 dt.15.01.2020, “Për përzgjedhjen dhe shpërblimin e specialistëve të jashtëm me kontratë për realizimin e veprimtarive zhvillimore në fushën e AFP-së”, shpall konkurrimin për bashkëpunëtorë lidhur me:

Rishikimin e programeve orientuese për kualifikimet profesionale:

 

  • Instalim dhe mirëmbajtje e linjave të TU dhe TL Niveli III në KSHK

Kandidatët e interesuar për këtë shërbim duhet të plotësojnë këto kërkesa: 

Kërkesa të përgjithshme

  • Të kenë zotësi të plotë për të vepruar.
  • Të përmbushin kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojnë aftësitë e nevojshme të fushës përkatëse të kualifikimit profesional.
  • Të jenë në kushte shëndetësore të mira për të kryer detyrat përkatëse.
  • Të ketë aftësi të mira komunikuese dhe të punës në grup.
  • Të ketë aftësi për të përdorur programet kompjuterike. 

Kërkesa të veçanta:

  • Të kenë mbaruar arsimin e lartë në fushën përkatëse profesionale, të kenë përvojë si mësimdhënës në fushën/lëndën përkatëse.
  • Të kenë jo më pak se tri vite eksperiencë pune në mësimdhënie dhe si bashkëpunëtor i AKAFPK-së për kualifikimin profesional të mësipërm.
  • Të ketë mbaruar arsimin e mesëm profesional në fushën përkatëse dhe të ketë jo më pak se pesë vite eksperiencë pune në biznes, në fushën përkatëse.

Do të preferohen ata kandidatë, të cilët janë trajnuar për vlerësimin përfundimtar të nxënësve në shkollat profesionale apo zhvillojnë lëndët përkatëse.

Paraqitja e dokumenteve

Kandidati duhet të paraqesë brenda datës 24 mars 2021, ora 16.30 dorazi, në Zyrën e Administratës së  AKAFPK-së me adresë: Rruga Mustafa Lleshi, Kati i III-të, Godina e Thesarit, Tiranë, ose në rrugë elektronike (të skanuara) në adresën info@akafp.gov.al këto dokumente:

  • Kërkesë për Aplikim (e firmosur nga kandidati, nëse e sjell dorazi);
  • CV;
  • Fotokopje e Diplomës së shkollës së lartë;
  • Kopje të dokumentacionit që vërteton përvojën si mësues në fushë/drejtimin/profilin përkatës dhe/ose profesionin fushën përkatëse në punë;

(Mosparaqitja e plotë e dokumenteve sjell skualifikim të kandidatit).

Ky angazhim do të realizohet për një periudhë me kohëzgjatje 1 (një) mujore.

Të gjitha njoftimet e mëtejshme në lidhje me vazhdimin e procedurave të konkurrimit për këtë shërbim, mund t’i gjeni në adresën e Web Site të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.

Njoftimi do të hidhet në faqen e AKAFPK-së me datë 17 mars 2021.