Me datë 17 shtator 2015, në mjediset e Hotel Tirana, u zhvillua takimi i grupit të punës për “Sigurimin e Cilësisë dhe Akreditimin e ofruesve të AFP-së”, si pjesë e programit 4 vjeçar “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim (SDC) dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara (UNDP). Ky komponent i programit do të zbatohet në partneritet me AKAFPK. Grupi teknik i punës ka në përbërje përfaqësues nga sektori publik dhe privat, si edhe ekspertë të fushës së AFP-së.

Në takim u prezantuan modele të ndryshme të Sigurimit të Cilësisë dhe Akreditimit të ofruesve të AFP-së, si dhe konceptet dhe përkufizimet bazë përkatëse. Krahas kësaj, u përshfaq përvoja e grumbulluar nga pilotimi i modeleve të ndryshme, si dhe impakti i tyre në sigurimin e cilësisë në institucionet e Arsimit dhe Formimit Profesional.

Në vijim, të ftuarit hodhën ide dhe diskutuan gjerësisht në lidhje me të kuptuarit e procesit të Sigurimit të Cilësisë dhe Akreditimit si dhe me nevojën për të pasur një qasje dhe model shqiptar të këtij procesi.

Veprimtaria kulmoi me ravijëzimin e një plani pune 1 vjeçar për komponentin “Sigurimi i Cilësisë dhe Akreditimi i ofruesve të AFP-së”, i specifikuar në 4 output-e kryesore që kanë të bëjnë me kuadrin politik dhe institucional, hartimin dhe zbatimin e kritereve, standardeve dhe mekanizmave, zbatimin e procedurave dhe ofrimin e informacionit për palët e interesuara.