Me mbështetjen e Programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” (2014-2018), i financuar nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve dhe Biznes Albania organizuan, më datën 21 shtator 2015 në mjediset e Biznes Albania, një takim lancues të projektit për rishikimin e Listës Kombëtare të Profesioneve dhe finalizimin e përshkrimeve përkatëse të profesioneve me pjesëmarrjen e ekspertizës e cila do të mundësojë zbatimin e këtij projekti, gjate periudhes shtator 2015-janar 2016.

Në takim u bë prezantimi i projektit dhe i rolit të Biznes Albania në zbatimin e këtij projekti nga Z. Koli Sinjari, drejtor i projekteve të Biznes Albania  dhe Dajna Sorensen, Zëvendës Drejtore e programit  “Zhvillimi i  Aftësive për   Punësim” i UNDP.

Takimi vazhdoi me prezantimin nga Zj. Ejvis Gishti, Përgjegjëse në Sektorin e Profesioneve dhe Kualifikimeve  Profesionale të AKAFPK-së, lidhur me kornizën logjike të Listës Kombëtare të Profesioneve, gjendjen aktuale e saj, si dhe aspektet metodologjike të procesit të hartimit të përshkrimeve të profesioneve dhe rishikimit të Listës Kombëtare të Profesioneve. Gjithashtu, u diskutua  lidhur me planifikimin  dhe koordinimin e  aktiviteteve të ardhshme për përmbushjen me sukses të këtij projekti.