Më 21 qershor 2018, në Tiranë, u zhvillua Seminari për Përgatitjen e VKM-së për Ngritjen e Komiteteve Sektoriale në Shqipëri.

Pas miratimit të ligji nr. 23/2018 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 10 247, DATË 4.3.2010, “PËR KORNIZËN SHQIPTARE TË KUALIFIKIMEVE”, Task Forca e ngritur me urdhër të përbashkët të ministrave të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, është duke punuar për të përgatitur VKM-ja për Ngritjen e Komiteteve Sektoriale në Shqipëri.

Qëllimi i këtij seminari ishte konsultimi me aktorët kryesorë në lidhje me përmbajtjen e VKM-së për Ngritjen e Komiteteve Sektoriale.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Task Forcës dhe grupeve teknike të punës, ‘ETF’, ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, universiteteve, përfaqësues të Shoqatës së Turizmit, përfaqësues të konfederatës, përfaqësues të RISI Albania dhe ofrues të kualifikimeve profesionale në vend.

Në këtë takim, Znj. Ejvis Gishti, Drejtore e AKAFPK, bëri prezantimin e draftit të VKM-së, të përgatitur nga Task Forca, i cili shërbeu si bazë për të diskutuar edhe mbi përcaktimet e Nenit 11 të këtij ligji lidhur me ngritjen, funksionimin, kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të komiteteve sektoriale dhe mënyrën e shpërblimit të tyre.

Diskutimet ishin të larmishme dhe rekomandimet e sugjeruara do të ushqejnë procesin e finalizimit të projekt VKM-në deri në fund të vitit 2018.