Më datë 19.10.2016 është publikuar një thirrje e re e Erasmus+ për propozime nën prioritetin kyç 3 (KA3) (mbështetje për reformën e Politikave) “Partneritetet arsim profesional-biznes për të nxënit në vendin e punës dhe skemat e çirakërisë (EACEA 40/2016).

Në kontekstin e papunësisë së madhe në radhët e të rinjve dhe mospërputhjes së aftësive, qëllimi i përgjithshëm i kësaj thirrjeje është ngushtimi i hendekut midis botës së arsimit dhe botës së biznesit, përmirësimi i lidhjes së arsimit dhe formimit me nevojat e tregut të punës dhe rritja e përsosmërisë. Në këtë kontekst, objektivi i Thirrjes është t’ju ftojë për paraqitjen e propozimeve për partneritetet AFP – biznes për të zhvilluar të nxënit nëpërmjet punës (work-based learning).

Në këtë mënyrë ajo kontribuon në objektivin e Rigës për të promovuar të nxënit nëpërmjet punës në të gjitha format e tij, me vëmendje të veçantë tek çirakëritë, duke përfshirë partnerët socialë, kompanitë, dhomat dhe ofruesit e AFP-së, si edhe duke stimuluar inovacionin dhe sipërmarrjen (shih Produktin Afat-Mesëm 1 për periudhën 2015- 2020).

Fokusi qëndron në dimensionin rajonal dhe vendor me qëllim prodhimin e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme në terren.  Buxheti i përgjithshëm në dispozicion për projektet është 6 milionë EUR.

Thirrja bën dallimin midis dy llojeve të ndryshme të partneritetit:

  1. Partneritetet vendore dhe rajonale (Lot 1)

Thirrja mbështet partneritetet midis (i) një ofruesi të AFP; (ii) një ndërmarrje të vogël, të mesme apo të madhe (publike ose private) ose një dhome apo organizate tjetër sektoriale/profesionale; (iii) dhe një autoriteti vendor apo rajonal.  Këto projekte synojnë të forcojnë partneritetet AFP – biznes për të nxënit nëpërmjet punës dhe çirakërive në kontekst vendor apo rajonal. Partneriteti duhet të përfshijë një organizatë të punëdhënësve dhe një organizatë të punëmarrësve (partnerët socialë) si partnerë analogë.

Partneriteti duhet të përbëhet nga të paktën tre partnerë të plotë nga të paktën dy  vende të ndryshme të programit Erasmus +.

  1. Partneritetet midis një organizate europiane mëmë dhe anëtarëve ose degëve të saj kombëtare (Lot 2)

Thirrja mbështet edhe një numër të kufizuar projektesh të kryera nga organizatat evropiane mëmë. Këto projekte synojnë të mbështesin veprimtari të qëllimta dhe strategjike midis këtyre organizatave mëmë në nivel europian dhe anëtarëve apo degëve të tyre kombëtare, të cilat synojnë forcimin e partneriteteve AFP-biznes për të nxënit nëpërmjet punës dhe çirakërive në një kontekst vendor apo rajonal.

Organizatat që kanë të drejtë të marrin pjesë (Lot 1 dhe Lot 2) përfshijnë: autoritetet publike vendore dhe rajonale, partnerët socialë (organizatat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve), ndërmarrjet e vogla, të mesme ose të mëdha (publike ose private), dhomat e industrisë, tregtisë dhe të zejeve, ose organizatat e ngjashme sektoriale/profesionale, shërbimet publike të punësimit, shkollat e AFP dhe ofruesit e AFP, agjencitë, qendrat (duke përfshirë AFP-në pas të mesmes), organizatat e të rinjve, shoqatat e prindërve, organet e tjera përkatëse.

Vendet, të cilat gëzojnë të drejtën e pjesëmarrjes në këtë thirrje, janë vendet ku po zhvillohet programi Erasmus+ (28 Vende Anëtare), vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA-European Free Trade Association)/ të Zonës Ekonomike Europiane (EEA-European Economic Area) (Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia) dhe vendet kandidate për në BE (Shqipëria, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dheTurqia).

Për detaje të mëtejshme shihni:  https://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus/funding/ka3-%E2%80%93-vet-business-partnerships-work-based-learning-and-apprenticeships_en

Afati i fundit për paraqitjen e propozimeve është data 17 janar 2017 në orën 12.00 në mesditë (ora në Bruksel).