Me mbështetjen e projektit  “RISI ALBANIA”, në periudhën 8-11 shtator u organizua vizita studimore e delegacionit shqiptar, në Tallinn, Estoni, me qëllimin kryesor të përftimit të përvojës dhe praktikave pozitive në ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Sektorialë të Aftësive, si dhe të rolit të tyre në zhvillimin e sistemit të kualifikimeve profesionaleme të orientuar nga kërkesat e tregut të punës dhe të shoqërisë në tërësi. Në këtë vizitë studimore morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve; Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes; Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profeional dhe Kualifikimeve; Universitetit Bujqësor; Shoqatës Shqiptare të Turizmit,  si dhe të Shoqatës Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit.

Çështjet e trajtuara gjatë kësaj vizitë përfshinë, si më poshtë:

  • Këmbim përvojash lidhur me aspekte të zhvillimit të sistemit të kualifikimecve në Estoni, duke përfshirë zhvillimin e ofertës së kualifikimeve sipas niveleve të Kornizës së Kualifikimeve në Estoni, aspekte të garantimit të cilësisë, aspekte të rregullimeve institucionale, etj.
  • Ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Sektorialë të Aftësive në 16 sektorë të ekonomisë. Rolin e ketyre organizmave në artikulimin e ofertës së kualifikimeve, në zhvillimin dhe validimin e standardeve të profesioneve, si dhe në parashikimin afatmesëm dhe afatgjatë të nevojave për kualifikime (Projekti OSKA për parashikimin e aftësive).

Takimet u zhvilluan kryesisht në mjediset e Autoritetit Estonez të Kualifikimeve. Gjatë kësaj vizite u mundësua edhe pjesëmarrja, si vëzhgues, në një takim konsultativ me aktorët kryesor në parashimin e nevojave për aftësi në Estoni (Projekti OSKA). Gjithashtu, u zhvilluan takime me Koordinatoren e Këshillit Sektorial të Aftësive të fushës së Bujqësisë, Zj. Eve Kitt, si dhe me kryetarin e Këshillit Sektorial të Aftësive të fushës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Z. Jüri Jõema, gjatë të cilave u diskutua lidhur me aspekte konkrete të funksionimit të këtyre organizmave, duke përfshirë metodologjitë e përdorura në zhvillimin e standardeve të profesioneve, formatet përkatëse, si dhe angazhimin e burimeve të nevojshme duke përfshirë burimet njerëzore dhe ato financiare.