Në datat 1 dhe 2 qershor 2015 u organizua vizita studimore e delegacionit shqiptar, në Vjenë të Austrisë, përfaqësuar nga Znj. Zamira Gjini, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Ministria e Arsimit dhe Sporteve; Z. Agron Pëllumbi, Drejtoria e Politikave të Arsimit, Formimit Profesional & Kualifikimeve, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Arjeta Ndrico, Specialiste në Sektorin e Arsimit dhe Formimit Profesional, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Diana Xhelili, specialist në Sektorin e Profesioneve dhe Kualifikimeve Profesionale, AKAFP; Marsela Robo, Specialiste në sektorin e Skeletkurrikulave dhe Standardeve të Trajnimit të Mësuesve të AFP, AKAFP; Dritan Mezini, “Dua pune” Biznesmen dhe drejtues i shoqatës së subjekteve të IT-së. Tematika e kësaj vizite ishte “Vajzat në profesione jotipike“ me objektiva kryesore:

  • Shkëmbim përvojash lidhur me masat sensibilizuese për nxitjen e “Vajzat në profesione jotipike”, në Austri;
  • Shkëmbim përvojash me HTL-të, që janë anëtare të rrjetit “Gjinia dhe diversiteti” në shkollat austriake teknike, industriale dhe të artizanateve, me qëllim realizimin praktik të këtyre masave në kontekstin shkollor
  • Oferta këshillimi për vajzat në fushën e këshillimit dhe orientimit profesional në Austri.

Kjo vizitë u organizua dhe mbështet nga Ministria Federale e Arsimit dhe Grave dhe Kultur Kontakt, Austria, të cilat mbështesin Ministrinë Shqiptare të Mirëqenies Sociale e Rinisë për hapjen e një shkolle IT-je në Tiranë, sipas modelit të një shkolle HTL-je austriake dhe bazuar tek përvojat e shkollës austriake të Shkodrës.

Gjatë kësaj vizite u shkëmbyen përvojat pozitive të kësaj fushe.

Vizita e parë u bë në Ministrinë Federale të Arsimit dhe Grave, ku u organizua një tryezë e rrumbullakët me ekspertë të ministrisë lidhur me masat për mbështetjen e vajzave në profesione jotipike në Austri.

U krye një takim në Kampusin e shkollës HTL HAK për të shkëmbyer përvoja dhe për të parë konkretisht punën që bëhej në shkollë, klasa, konvikt apo laboratorët e IT-së për mbështetjen dhe orientimin e vajzave drejt profesioneve jo tipike për to.

Vizita në IBM Austri, ishte shumë interesante, ku u diskutuan për aktivitete që organizoheshin në mbështetje të nxitjes së punësimit të vajzave në profesione jo tipike (dita e vajzave në ndërmarrje).

Një takim u bë në “sprungbrett”, Shoqatë profesionale dhe Qendër Orientimi dhe Këshillim për Karrierën për vajza dhe gra të reja, si dhe në Sektori i çështjeve të gruas në Bashkinë e Vjenës, ku u shkëmbyen informacione lidhur me aktivitetet dhe punën me vajzat, nxitja e tyre në zgjedhjen e profesioneve të ndryshme. Interesante ishte organizimi i ditës së vajzave dhe orientimi i tyre në ndërmarrje për të vëzhguar punën konkrete për profesione të ndryshme.

Takimi përmbledhës u bë në zyrat e Kultur Kontakt Austria ku u diskutuan nevoja e bashkëpunimit të mëtejshëm lidhur me sensibilizimin dhe mbështetjen e “Vajzat në profesionet jotipike“