Në Tiranë , më 20 qershor, 2018 u mbajt workshopi mbi përgatitjen e VKM për përfshirjen e kualifikimeve të të nxënit gjatë gjithë jetës në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve.

Në maj 2018 u miratua ligji nr. 23/2018 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 10 247, DATË 4.3.2010, “PËR KORNIZËN SHQIPTARE TË KUALIFIKIMEVE”.

Pas miratimit të këtij ligji Task Forca e ngritur me urdhër të përbashkët të ministrave të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, është duke punuar intensivisht për të përgatitur aktet nënligjore të parashikuara në këtë ligj. Për këtë qëllim, Task Forca, e bashkë kryesuar nga Znj. Linda Pustina dhe Znj. Ejvis Gishti, ka ngritur grupe të veçanta ekspertësh për të kontribuar në hartimin e këtyre akteve.

Në vijim të këtij procesi,  me mbështetjen e “ETF” u organizua një takim konsultues, për të diskutuar me të gjithë palët e interesuara lidhur me parashikimet e këtij vendimi që do të dalë në zbatim të ligjit të sipërcituar brenda 2018.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Task Forcës dhe grupeve teknike të punës, ‘ETF’, ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, universiteteve, Shërbimit Kombëtar të Punësimit, GIZ, Unionit të Prodhuesve, Autoritetit të Aviacionit Civil, Qendrës së Edukimit në Vazhdim të Profesioneve të Shëndetësisë, Qendrat e Formimit Profesional dhe ofrues të kualifikimeve profesionale në vend.

Kontributi i aktorëve të ndryshëm në këtë aktivitet ishte shumë i vlefshëm dhe disa rekomandime të dala nga diskutimet e kësaj dite do të merren në konsideratë në finalizimin e këtij akti nënligjor.