AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

[ivory-search id=”1574″ title=”test”]

Trajnimi për Vlerësuesit për Njohjen e të Nxënit Informal dhe Joformal në Shqipëri

  1. Home
  2. /
  3. Veprimtari
  4. /
  5. Trajnimi për Vlerësuesit për…

Për herë të parë në Shqipëri, është në proces pilotimi vlerësimi i kompetencave të fituara në kontekste jo formale dhe informale. Ky proces po mundësohet nga Projekti ILO – BE IPA 2010 “Për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore në Shqipëri”, në linjë me Strategjinë e re Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020 dhe Planin përkatës të Veprimit. Në kuadër të Komponentit 3 të këtij Projekti – Ngritja e mekanizmave për Njohjen e të Nxënit Informal dhe Joformal (NjMIJ) – në datat 13-16 Tetor 2014, u zhvillua trajnimi “Për vlerësuesit për Njohjen e të Nxënit Informal dhe Joformal në Shqipëri”, për profesionin e Teknikut të Prodhimit të Linjës në Konfeksione dhe nën drejtimin e ekspertes ndërkombëtare Mikaela Kets.

Synimi kryesor i kësaj veprimtarie ishte trajnimi i specialistëve, të cilët dëshirojnë të bëhen Vlerësues për Njohjen e të Nxënit Informal dhe atij Joformal, por edhe të palëve të interesuara si nga subjektet publike, ashtu edhe ato private, të cilat janë të gatshme për t’u përfshirë në zbatimin dhe menaxhimin e këtij procesi në Shqipëri.

Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional u përfaqësua, në këtë veprimtari, nga specialistët e Sektorit të Vlerësim-certifikimit të Nxënësve dhe Akreditimit të Ofruesve të AFP-së. Punonjësit e Sektorit vëzhguan procesin e trajnimit të vlerësuesve, por edhe u angazhuan kryesisht në sqarimin më tej të metodologjisë së hartimit të instrumenteve të vlerësimit të kandidatëve, që do të dëshirojnë të certifikohen, në të ardhmen. Si instrument bazë u përdor Standardi i profesionit “Teknik i Prodhimit i Linjës në Konfeksione”, i hartuar më parë nga një grup ekspertësh të këtij profesioni. Instrumentet e vlerësimit të hartuara do të testohen, më pas, përgjatë pilotimit të procesit të vlerësimit në mjediset reale të punës, pranë biznesit Fason “Omega” në Tiranë.

Theksojmë se, i gjithë ky proces po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me bizneset e fushës së tekstil-konfeksioneve dhe nën mbikqyrjen e të dyja Dhomave të Fasonëve. Ky bashkëpunim e bën vlerësimin e kandidatëve më të besueshëm, realist dhe të vërtetë dhe, mbi të gjitha, mundëson vlerësimin e atyre kompetencave për të cilat ka nevojë tregu i punës.

Ngritja dhe funksionimi, në të ardhmen e afërt, i sistemit të NjMIJ-së në Shqipëri, do të krijojë mundësinë e certifikimit të kompetencave profesionale të individëve, të cilët vijnë nga kontekste të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.