AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

[ivory-search id=”1574″ title=”test”]

Korniza Shqiptare e Kualifikimeve

Kreu > Çfare ofrojmë > Korniza Shqiptare e Kualifikimeve
Kualifikime Profesionale

Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KSHK) - është një instrument që përmban 8 nivele. Ajo shërben për klasifikimin e kualifikimeve të përfituara nga individë, sipas një tërësie kriteresh, për nivele specifike të të nxënit dhe ka për qëllim përmirësimin e transparencës, aksesit, përparimit dhe cilësisë së kualifikimeve që lidhen me tregun e punës dhe shoqërinë.

KSHK është një skemë kombëtare që përcakton nivelet e arsimit dhe formimit ku mund të vendosen kualifikimet e vendit. Secili nivel i korrespondon një kombinimi të aftësive, njohurive dhe kompetencave përkatëse të shprehura nëpërmjet përshkruesit të nivelit. Sa më i lartë të jetë niveli i KSHK, aq më shumë cilësi dhe kompetenca pritet të arrijë një person. KSHK përdor konceptin e përshkruesve të nivelit dhe rezultateve të të nxënit. Rezultatet e të nxënit janë një pohim i shkruar për atë që një individ i suksesshëm pritet të jetë në gjendje të bëjë dhe të dijë në fund të një mësimi, kursi, moduli apo kualifikimi. Përshkruesit e niveleve janë hartuar në mënyrë që të përfshijnë si arsimin e përgjithshëm ashtu dhe atë profesional dhe mbulojnë gamën e plotë të rezultateve mësimore të arritura në arsim dhe formim qysh nga arsimi bazë, shkollimi i mëtejshëm, niveli i punëtorit të kualifikuar e deri në doktoratë dhe nivel profesional të lartë.

Zbatimi i KSHK-së ka si qëllim të krahasojë kualifikimet e përfituara në Shqipëri me Kornizën Europiane të Kualifikimeve (KEK), të përmirësojë njohjen e ndërsjellët dhe të nxisë lëvizjen gjeografike të tregut të punës. Nga viti 2021 u realizua procesi i referencimit të KSHK-së me Kornizën Europiane të Kualifikimeve (KEK). Rrjedhimisht diplomat dhe certifikatat e kualifikimeve të lëshuara nga institucionet arsimore në Shqipëri, që ofrojnë kualifikime në linjë me KSHK-në do të përmbajnë si referencë edhe nivelin e kualifikimeve të KEK duke lehtësuar kështu, njohjen e tyre në vendet e BE-së.