Znj. Ejvis Gishti (Shehi) ka lindur në Tiranë, më 2 mars 1975. Ejvis është diplomuar për Menaxhim në vitin 1997 në Universitetin e Tiranës, ka përfunduar Master në "Business Trainer and Consultant", organizuar në kuadrin e Paktit të Stabilitetit në Tiranë-Gjermani, si dhe master në "Financë – Menaxhim Banke", Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.
Znj. Ejvis Gishti ka përfunduar studimet e Shkollës së Doktoraturës në “Menaxhim”, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, duke marrë gradën shkencore “Doktor”, pas mbrojtjes publike të disertacionit me temë: “Ndikimi i zhvillimit të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve në Arsimin Profesional”.
Znj. Ejvis ka rreth 25 vjet përvojë pune në fushën e Arsimit dhe Formimit Profesional.
Aktualisht, është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, dhe prej më shumë se 16 vitesh është angazhuar në pozicione drejtuese në administratën publike në fushën e AFP-së, si dhe të tregut të punës. Prej më se 8 vitesh, është anëtare e Bordit Këshillimor të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve në Bruksel dhe bashkë kryetare e Task-Forcës për Zhvillimin dhe Zbatimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
Gjithashtu, znj. Ejvis është Koordinatore e dy projekteve në kuadrin e programit ERASMUS+, për "Platformën Elektronike Evropiane për Edukimin e të Rriturve në Shqipëri", dhe "National Coordinators for the Implementation of the European Agenda for Adult Learning".
Znj. Ejvis është angazhuar prej 18 vitesh si lektore me kohë të pjesshme në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, dhe mbi 4 vite si lektore me kohë të pjesshme në fushën e njohurive ekonomike ne Universitetin e Sportit të Tiranës. Është autore e mbi 20 publikimeve në fushën e arsimit, të tregut të punës dhe të menaxhimit të burimeve njerëzore.