AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

[ivory-search id=”1574″ title=”test”]

Profesionet

Kreu > Çfare ofrojmë > Profesionet
Kualifikime Profesionale

Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KSHK) - është një instrument që përmban 8 nivele. Ajo shërben për klasifikimin e kualifikimeve të përfituara nga individë, sipas një tërësie kriteresh, për nivele specifike të të nxënit dhe ka për qëllim përmirësimin e transparencës, aksesit, përparimit dhe cilësisë së kualifikimeve që lidhen me tregun e punës dhe shoqërinë.

KSHK është një skemë kombëtare që përcakton nivelet e arsimit dhe formimit ku mund të vendosen kualifikimet e vendit. Secili nivel i korrespondon një kombinimi të aftësive, njohurive dhe kompetencave përkatëse të shprehura nëpërmjet përshkruesit të nivelit. Sa më i lartë të jetë niveli i KSHK, aq më shumë cilësi dhe kompetenca pritet të arrijë një person. KSHK përdor konceptin e përshkruesve të nivelit dhe rezultateve të të nxënit. Rezultatet e të nxënit janë një pohim i shkruar për atë që një individ i suksesshëm pritet të jetë në gjendje të bëjë dhe të dijë në fund të një mësimi, kursi, moduli apo kualifikimi. Përshkruesit e niveleve janë hartuar në mënyrë që të përfshijnë si arsimin e përgjithshëm ashtu dhe atë profesional dhe mbulojnë gamën e plotë të rezultateve mësimore të arritura në arsim dhe formim qysh nga arsimi bazë, shkollimi i mëtejshëm, niveli i punëtorit të kualifikuar e deri në doktoratë dhe nivel profesional të lartë.

Zbatimi i KSHK-së ka si qëllim të krahasojë kualifikimet e përfituara në Shqipëri me Kornizën Europiane të Kualifikimeve (KEK), të përmirësojë njohjen e ndërsjellët dhe të nxisë lëvizjen gjeografike të tregut të punës. Nga viti 2021 u realizua procesi i referencimit të KSHK-së me Kornizën Europiane të Kualifikimeve (KEK). Rrjedhimisht diplomat dhe certifikatat e kualifikimeve të lëshuara nga institucionet arsimore në Shqipëri, që ofrojnë kualifikime në linjë me KSHK-në do të përmbajnë si referencë edhe nivelin e kualifikimeve të KEK duke lehtësuar kështu, njohjen e tyre në vendet e BE-së.
Lista Kombëtare e Profesioneve klasifikon profesionet, bazuar në llojin e punës dhe në kompetencat e nevojshme. Lista përbëhet nga emërtimet përkatëse të profesioneve/punëve dhe nga përshkrimet e profesioneve. Ajo hartohet dhe rishikohet në mënyrë të vazhdueshme nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, si institucioni përgjegjës, në bashkëpunim me partnerët socialë. Varianti i fundit është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 514 datë 20.09.2017 “Për miratimin e Listës Kombëtare të Profesioneve (LKP), të rishikuar”. Lista Kombëtare e Profesioneve mbështetet në modelin ISCO-08, si për anën konceptuale, ashtu edhe për atë strukturore të sistemit të klasifikimit. Një klasifikim kombëtar i profesioneve, i cili mbështetet në një standard ndërkombëtar, e bën procesin e hartimit më të lehtë, më pak të kushtueshëm dhe vetë klasifikimin të krahasueshëm me klasifikime të tjera të profesioneve të bazuara në këtë klasifikim ndërkombëtar. Lista Kombëtare e Profesioneve siguron një gjuhë të standardizuar për përshkrimin e punëve që realizohen në tregun e punës nga forca punëtore shqiptare. Ajo përdoret për qëllime të ndryshme duke përfshirë përcaktimin dhe grumbullimin e statistikave, menaxhimin e bazës së të dhënave, analizën e tendencave të tregut të punës, si dhe informacionin për planifikimin e karrierës. Për më tepër, ajo i jep statisticienëve, analistëve të tregut të punës, këshilluesve të karrierës, programuesve të kualifikimeve, punëdhënësve dhe vetë punëkërkuesve një mënyrë konsistente për të grumbulluar të dhëna, si dhe për të përshkruar dhe kuptuar natyrën e punës.

Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve

Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve - është një instrument dinamik, i cili klasifikon dhe integron kualifikimet për arsimin dhe formimin profesional, të bazuara në rezultate të të nxënit, duke identifikuar për çdo kualifikim nivelin përkatës të referencës në KSHK, duke filluar nga niveli më i madh i agregimit, që ka të bëjë me fushat e kualifikimit (drejtimet), deri në nivelin më të ulët të agregimit (nënfushat e kualifikimit), që ka të bëjë me profilet dhe specialitetet. Varianti i fundit është miratuar me Urdhër nr. 99, datë 25.5.2021 të ministrit përgjegjës për arsimin profesional “Për miratimin e Katalogut Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale”. Kualifikimi është një rezultat formal i një procesi vlerësimi dhe vlefshmërie, i përfituar prej një organi kompetent/institucioni arsimor, të akredituar, që përcakton se individi ka arritur një nivel të caktuar njohurish, aftësish dhe kompetencash në përputhje me një standard të dhënë, që mundësojnë ushtrimin me sukses të një aktiviteti të caktuar profesional, i cili mund të përftohet nëpërmjet mësimnxënies të një ofrues të AFP-së, i përmbyllur me provime dhe i certifikuar nëpërmjet një dokumenti përkatës (certifikatë).

Standardet e Profesionit

Standardet profesionale përbëjnë një tërësi treguesish që e karakterizojnë profesionin nga pikëpamja sasiore dhe cilësore dhe shërbejnë si matës të përgatitjes dhe gatishmërisë së një individi për përmbushjen e kërkesave në ushtrimin e një profesioni dhe për të përparuar më tej në të. Standardet profesionale përdoren për të specifikuar se çfarë duhet të bëjnë njerëzit për të kryer një punë ashtu siç duhet. Ato shërbejnë si bazë për hartimin e specifikimeve të kualifikimit.

Standardet e Kualifikimeve

Standardet e Kualifikimeve: janë formulimi i njohurive, aftësive dhe kompetencave të gjera, që duhen arritur nga nxënësit/kursantët/studentët, për të përmbushur një kualifikim. Standardi i kualifikimit për një nivel të dhënë, që mbështetet në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve Profesionale, përmban informacion të standardizuar, për këtë kualifikim. Është i fokusuar tërësisht te arritjet e nxënësve/kursantëve. Në standardin e kualifikimit përfshihen këto elementë:
(a) të dhëna të përgjithshme mbi kualifikimin, duke filluar me emërtimin, kodin, volumin mësimor të nevojshëm dhe mjaftueshëm për arritjen e këtij kualifikimi, etj, e deri në informacione të tilla si: përcaktimin e kërkesave për hyrje në këtë kualifikim, mundësitë për punësim, etj.
(b) rezultatet e të nxënit të këtij kualifikimi, të përshkruar në tre grupime:
(i) rezultatet e të nxënit përsa i përket njohurive të nevojshme;
(ii) rezultatet e të nxënit përsa i përket shprehive profesionale të nevojshme;
(iii) rezultatet e të nxënit përsa i përket kompetencave të përgjithshme të nevojshme për kualifikimin përkatës.

Skeletkurrikulat:

Programet orientuese të niveleve të kualifikimeve profesionale 2-5 të KSHK-së:

Programet orientuese për provimet e maturës shtetërore për lëndët profesionale kanë si qëllim të orientojë punën e mësimdhënësve, përgatitjen e individëve/kandidatëve dhe hartuesve të testeve përfundimtare për t’u fokusuar në konceptet dhe shprehive kryesore të mësuara gjatë viteve në lëndët profesionale.

Programet orientuese të Maturës shtetërore profesionale:

Programet orientuese për provimet e niveleve të kualifikimeve (niveli 2 -.5 të KSHK-së) për lëndët profesionale kanë si qëllim të orientojnë punën e mësimdhënësve, përgatitjen e individëve/kandidatëve për t’u fokusuar në konceptet dhe shprehive kryesore të mësuara gjatë niveleve përkatëse të kualifikimeve në lëndët profesionale.

Veprimtari të tjera

Suplementet e certifikatave të kualifikimeve profesionale janë dokumente të cilat u bashkëngjiten certifikatave profesionale të niveleve, për të gjitha strukturat e arsimit profesional. Në këtë dokument janë të përfshira kompetencat profesionale të nxënësit në përfundim të arsimimit të kualifikimit përkatës, mundësitë e punësimit dhe të arsimimit të mëtejshëm në përfundim të çdo niveli.

Materialet mësimore mbështetëse

Suplementet e certifikatave të kualifikimeve profesionale janë dokumente të cilat u bashkëngjiten certifikatave profesionale të niveleve, për të gjitha strukturat e arsimit profesional. Në këtë dokument janë të përfshira kompetencat profesionale të nxënësit në përfundim të arsimimit të kualifikimit përkatës, mundësitë e punësimit dhe të arsimimit të mëtejshëm në përfundim të çdo niveli.