Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve Profesionale - është një instrument dinamik, i cili klasifikon dhe integron kualifikimet për arsimin dhe formimin profesional, të bazuara në rezultate të të nxënit, duke identifikuar për çdo kualifikim nivelin përkatës të referencës në KSHK nga niveli më i madh i agregimit, që ka të bëjë me fushat e kualifikimit (drejtimet), deri në nivelin më të ulët të agregimit (nënfushat e kualifikimit), (profilet) dhe specialitetet. Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve Profesionale është miratuar me Urdhër nr. 99, datë 25.5.2021 të ministrit përgjegjës për arsimin profesional “Për miratimin e Katalogut Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale”, i ndryshuar.
Kualifikimi është një rezultat formal i një procesi vlerësimi dhe vlefshmërie, i përfituar prej një organi kompetent/institucioni arsimor, të licencuar/të akredituar, që përcakton se individi ka arritur një nivel të caktuar njohurish, aftësish dhe kompetencash në përputhje me një standard të dhënë, që mundësojnë ushtrimin me sukses të një aktiviteti të caktuar profesional, i cili mund të përftohet nëpërmjet mësimnxënies te një ofrues i AFP-së, i përmbyllur me provime dhe i certifikuar nëpërmjet një dokumenti përkatës (certifikatë ose/ dhe diplomë).
Standardet e Profesionit
Standardet profesionale përbëjnë një tërësi treguesish që e karakterizojnë profesionin nga pikëpamja sasiore dhe cilësore dhe shërbejnë si matës të përgatitjes dhe gatishmërisë së një individi për përmbushjen e kërkesave në ushtrimin e një profesioni dhe për të përparuar më tej në të. Standardet profesionale përdoren për të specifikuar funksionet, detyrat, njohuritë dhe kriteret e performancës që i duhen individit për të kryer një punë. Ato shërbejnë si bazë për hartimin e standardeve të kualifikimit.
Standardet e Kualifikimeve: janë formulimi i njohurive, aftësive dhe kompetencave të gjera, që duhen arritur nga individi, për të përmbushur një kualifikim. Standardi i kualifikimit për një nivel të dhënë, që mbështetet në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve, përmban informacion të standardizuar, për këtë kualifikim. Është i fokusuar tërësisht te arritjet e individit.
Në standardin e kualifikimit përfshihen këto elementë:
(a) të dhëna të përgjithshme mbi kualifikimin, duke filluar me emërtimin, kodin, volumin mësimor të nevojshëm për arritjen e këtij kualifikimi, përcaktimin e kërkesave për hyrje në këtë kualifikim, mundësitë për punësim apo kualifikimit të mëtejshëm etj.
(b) rezultatet e të nxënit të këtij kualifikimi, të përshkruar në tre grupime:
(i) rezultatet e të nxënit të njohurive të nevojshme;
(ii) rezultatet e të nxënit të shprehive profesionale të nevojshme;
(iii) rezultatet e të nxënit të kompetencave të përgjithshme të nevojshme për kualifikimin përkatës.