
NJOFTIM
Miratohet Urdhri i ri për Akreditimin e Ofruesve të Arsimit dhe Formimit Profesional –
Nis procesi i aplikimeve
Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) njofton se është miratuar urdhri i ri nr 845, datë 03.07.2025 që përcakton standardet, kriteret dhe procedurat për akreditimin institucional të ofruesve të arsimit dhe formimit profesional (AFP), si pjesë e Kornizës së përditësuar të Sigurimit të Cilësisë.
Ky urdhër zëvendëson Urdhrin nr. 128, datë 6.7.2021, dhe vjen si rezultat i një procesi gjithëpërfshirës të konsultimit dhe përmirësimit të kuadrit rregullator.
Ky dokument përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të cilësisë dhe rritjes së besueshmërisë në sistemin e AFP-së, duke adresuar zhvillimet më të fundit në fushën e kualifikimeve profesionale, përfshirë validimin e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal, si dhe të nxënit gjatë gjithë jetës.
Ky urdhër synon të:
- • Përmirësojë dhe përditësojë kuadrin nënligjor për sigurimin e cilësisë në AFP;
- • Përcaktojë rregullat për akreditimin institucional të ofruesve publikë dhe jopublikë;
- • Forcojë detyrimin për akreditim institucional të ofruesve për kualifikimet në nivelet 2–5 të KSHK-së;
- • Reflektojë zhvillimet në ofertën e AFP-së për sigurimin e cilësisë në IoAFP që ofrojnë validimin e të nxënit joformal dhe informal dhe kualifikimet e të nxënit gjatë gjithë jetës, të përfshira në KSHK;
- • Rrisë besueshmërinë dhe transparencën në kualifikimet e ofruara nga institucionet e akredituara.
Ftohen të gjithë institucionet ofruese të AFP-së të aplikojnë për nisjen e procesit të akreditimit!
Me miratimin e këtij dokumenti, AKAFPK shpall të hapur aplikimet për procesin e akreditimit, për të gjitha institucionet publike dhe jopublike që ofrojnë kualifikime profesionale të referuara në nivelet 2–5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK).
Ftojmë të gjithë ofruesit që të njihen me përmbajtjen e dokumentit dhe të ndjekin udhëzimet për aplikim në përputhje me rregulloren e re.
Dokumenti i plotë dhe informacioni i detajuar mbi procedurat e aplikimit janë të disponueshme në faqen zyrtare të AKAFPK-së në linkun e mëposhtëm:
https://www.akafp.gov.al/vleresimi-dhe-certifikim/#akreditim-ioaffp
Për çdo pyetje apo mbështetje teknike, lutemi të kontaktoni në adresën zyrtare të AKAFPK-së: info.akafp@akafp.gov.al ose nëpërmjet kanaleve tona të komunikimit.