Forcimi i të nxënit nëpërmjet punës(WBL), për të rritur lidhjen me tregun e punës dhe cilësinë e arsimit dhe formimit profesional (AFP), në përputhje me reformat që po zhvillohen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është objektivi kryesor i projektit “Shkolla takohet me biznesin”(STB). Ky projekt, i drejtuar nga KulturKontakt Austria në bashkëpunim me Ministrinë Federale të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit Shkencor në Austri, financuar nga kjo e fundit, po zbatohet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në bashkëpunim me ministritë dhe agjencitë përgjegjëse për AFP.
Projekti STB mbështet cilësinë dhe rëndësinë e tregut të punës në arsimin dhe formimin profesional nëpërmjet fuqizimit të të Nxënit Bazuar në Punë si një nga reformat prioritare në të tri vendet.
Në kuadër të këtij projektit, më datat 11-12 dhjetor 2018, në Prishtinë u organizua seminari rajonal në bashkëpunim me kolegët nga Austria, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Qëllimi i tij ishte forcimi i kompetencave të shkollave të AFP-së për të siguruar bashkëpunimin profesional me kompanitë në sektorin privat, nëpërmjet caktimit të koordinatorëve të shkollës për bashkëpunimin me bizneset.
Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve të AFP, shkollave e qendrave të AFP si edhe bizneseve përkatës vendas. Një nga institucionet kyç të AFP-së në Shqipëri është Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), e cila u përfaqësua nga dy anëtarë.
Zoti Alqi Mustafai, ekspert kombëtar i AFP-së e përfaqësues i AKAFPK-së, luajti një rol të rëndësishëm si në prezantimet e seancave ashtu edhe në moderimin e tyre.
Në seancat e ditës së parë të workshop-it, ekspertët e shteteve pjesëmarrëse prezantuan formatet e WBL, kuadrin ligjor për zbatimin e tyre si edhe sfidat në të ardhmen. Secili nga grupet e punës, të ndara sipas shteteve, prezantuan gjetjet e tyre mbi qasjet dhe sfidat e përbashkëta si dhe specifikat e çdo vendi. Më pas, u vijua me diskutime lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e koordinatorit, burimet kohore të nevojshme për të, pozicionin e tij në strukturat e brendshme të shkollës si edhe kompetencat e nevojshme, që duhet të ketë ai për të realizuar lidhjen e shkollës me biznesin. Dita e parë u përmbyll me përgatitjen e një profili pune për personat ndërlidhës të shkollës me biznesin, për koordinatorët e shkollës.
Bazuar në këtë profil, gjatë ditës së dytë u diskutua se cila duhet të ishte përmbajtja e nevojshme për trajnimin e koordinatorëve, cilat duhet të ishin fushat reale për të mbuluar nga trajnimet e tyre. Nga diskutimet e grupeve të punës u propozua struktura dhe përmbajtja e programit të trajnimit, afatet kohore të tij si edhe hapat e mëtejshëm në realizimin e objektivit kryesor të projektit.