Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), në mbështetje të neneve 659, 850-876 të Ligjit nr. 7850, datë 29.07.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të Ligjit nr. 69, datë 21.06.2012, “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të Ligjit nr. 15/2017, datë 16.02.2017 “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”, të Ligjit nr. 10247, datë 04.03.2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, i ndryshuar, të Ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, i ndryshuar, të Ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, të VKM-së nr. 673 datë 16.10.2019 “Për organizimin dhe funksionimin e AKAFPK-së” dhe të Urdhrit nr. 21, nr. prot 113/1, datë 13.04.2023, “Për miratimin e Udhëzuesit “Për procedurat e përzgjedhjes dhe shpërblimit të specialistëve të jashtëm dhe bashkëpunëtorëve në projekte, me kontratë për realizimin e veprimtarive zhvillimore të AKAFPK””, shpall konkurrimin për specialistë të jashtëm lidhur me:
1. “Teknik i kontrollit të linjave të automatizuara” (hartim)
2. “Teknik i riparimit të pajisjeve elektronike” (rishikim)
Grupet e punës do të angazhohen për të hartuar/rishikuar standardet e profesioneve, lidhur me funksionet, detyrat, njohuritë dhe kriteret e performancës për profesionin në fjalë. Grupet e punës duhet të paraqiten pranë AKAFPK-së për të zhvilluar takimet e përbashkëta dhe të japin kontribut aktiv, në përbërje të grupit të punës, në diskutimin dhe në përgatitjen e dokumentacionit të hartimit/rishikimit të standardeve të profesioneve. Grupet e punës duhet të përbëhet nga 5-8 anëtarë. Ky angazhim do të realizohet për një periudhë me kohëzgjatje 2 (dy) mujore.
Kandidatët për hartimin/rishikimin e standardeve të profesioneve duhet të plotësojnë respektivisht këto kritere:
Kërkesa të përgjithshme:
1. Të kenë minimalisht arsimin e mesëm dhe një kualifikim në fushën përkatëse profesionale;
2. Të kenë aftësi të mira komunikuese dhe të punës në grup;
3. Të kenë aftësi për të përdorur literaturë në gjuhë të huaj;
4. Të përdorin kompjuterin.
· Kërkesa të veçanta për rishikuesit e standardit të profesionit:
– Ekspertë të biznesit: Të kenë të paktën 3 vite përvojë pune në fushën profesionale përkatëse.
– Mësimdhënës: Të kenë të paktën 3 vitet e fundit përvojë pune në mësimdhënie në fushën profesionale të kërkuar.
· Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Kërkesë për Aplikim;
2. CV;
3. Fotokopje e Diplomës së arsimit të përfunduar;
4. Dokument që vërteton kohëzgjatjen e përvojës në punë (fotokopje e librezës së punës/vërtetim pune/deklarata e kontributeve nga e-albania) në fushën përkatëse;
5. Për mësimdhënësit duhet një vërtetim nga institucioni për lëndën/ët që jep dhe kohëzgjatjen;
6. Fotokopje të dokumenteve që tregojnë kryerjen e kualifikimeve, trajnimeve dhe specializimeve të ndryshme (nëse disponohen).
Kujdes: Mosparaqitja e plotë e dokumenteve sjell s’kualifikim të kandidatit.
Kandidatët duhet të paraqesin dokumentet brenda datës 19.03.2024.
Aplikuesit do të vlerësohen në bazë të dokumentacionit të dorëzuar, në përputhje me kërkesat e këtij njoftimi dhe fituesit do të njoftohen brenda 5 ditësh (kalendarike) nëpërmjet email-it. Të gjitha njoftimet lidhur me procedurat e aplikimit do të gjenden në adresën e internetit të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve www.akafp.gov.al.
Dokumentacioni dorëzohet:
– pranë zyrave të AKAFPK-së, në adresën: rruga “Mustafa Lleshi”, Godina e Thesarit, Kati i tretë, Tiranë; – në formë elektronike në email-in: info.akafp@akafp.gov.al.