AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

[ivory-search id=”1574″ title=”test”]

Njoftim i datës 26 Tetor 2026 – PËR VLERËSUES TË JASHTËM TË PROCESIT TË AKREDITIMIT

NJOFTIM PËR BASHKËPUNËTORË

PËR VLERËSUES TË JASHTËM TË PROCESIT TË AKREDITIMIT

Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, Ligjit nr. 7961 datë 12.7.1995 të “Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, Ligjit Nr. 15/2017 “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjin nr. 10247 datë 04.03.2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve” i ndryshuar, Ligjit Nr. 69/2012 “Për sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, VKM-së nr. 673 datë 16.10.2019, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve”, Urdhrit Nr. 845, datë 03.07.2025 “Për Miratimin e Rregullores për Standardet, Kriteret dhe Procedurat e Akreditimit të Ofruesve të Arsimit dhe Formimit Profesional”, Urdhrit nr. 21, datë 13.4.2023 “Për miratimin e Udhëzuesit për procedurat e përzgjedhjes dhe shpërblimit të specialistëve të jashtëm me kontratë dhe bashkëpunëtorëve në projekte me kontratë për realizimin e veprimtarive zhvillimore të AKAFPK”, si dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi të cilat lidhen me veprimtarinë e këtij institucioni, shpall konkurrimin për bashkëpunëtorë lidhur me:

Vlerësimin e jashtëm për akreditimin institucional të ofruesit publik të AFP-së, Shkollës së Mesme Profesionale “Hermann Gmeiner”, Tiranë që ofron kualifikimin profesional të mëposhtëm:

  1. Inxhinieri informatike softwaresh, Niveli IV i KSHK-së

Specifikimet e detyrës për të cilën do të angazhohen specialistët e jashtëm për procesin e akreditimit:

Grupi i vlerësimit të jashtëm analizon dokumentet dhe të dhënat e ofruesit të AFP-së dhe harton planin paraprak të vizitës në terren, e cila zgjat 1–3 ditë, sipas planit të dakordësuar. Anëtarët e GVJ-së mbledhin evidencat e nevojshme, sipas standardeve dhe kritereve të akreditimit, nëpërmjet mënyrave të ndryshme për mbledhjen e informacionit dhe hartojnë raportin përfundimtar të akreditimit.

Kandidatët e interesuar për këtë shërbim duhet të plotësojnë këto kërkesa:

Kërkesa të përgjithshme
  • të kenë aftësi komunikuese me shkrim dhe me gojë
  • të kenë aftësi të punës në grup
  • të përdorin programet bazë të kompjuterit
  • të zotërojnë teknikat e komunikimit elektronik
  • të përdorin literaturë në gjuhë të huaj
Kërkesa të veçanta:
  • të kenë përfunduar arsimin e lartë (të paktën niveli 7 i KSHK-së);
  • të kenë jo më pak se 5 vite përvojë pune, në AFP dhe/apo në fushat profesionale përkatëse;
  • të jenë të certifikuar si vlerësues të jashtëm të procesit të akreditimit;
  • të kenë ndjekur trajnimin e vazhduar për procesin e akreditimit;
  • të mos jenë të përjashtuar nga e drejta për të vepruar si vlerësues të jashtëm të procesit të akreditimit;
  • të kenë nënshkruar formularin e deklarimit që nuk kanë konflikt interesi me AKAFPK-në dhe ofruesin e AFP-së, sipas formatit bashkëlidhur (Shtojca 1);
  • të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për kryerjen e një vepre penale.

Paraqitja e dokumenteve

Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Kërkesë për Aplikim referuar njoftimit përkatës për aplikim e firmosur nga kandidati;
  • Fotokopje e dokumentit të identifikimit;
  • Jetëshkrimi (CV);
  • Fotokopje e dokumenteve të diplomimit/certifikimit që vërtetojnë kualifikimin përkatës;
  • Dokument zyrtar që vërteton kohëzgjatjen e përvojës në punë, në fushën përkatëse (fotokopje të librezës së punës, vërtetim nga e-albania dhe/apo çdo dokument tjetër zyrtar që plotëson këtë kërkesë);
  • Kopje të Certifikatës së lëshuar nga AKAFPK-ja si vlerësues i jashtëm në procesin e akreditimit të IoAFP-ve;
  • Deklaratën e nënshkruar që nuk ka konflikt interesi me stafin e AKAFPK-së dhe ofruesin publik të AFP-së, sipas formatit bashkëlidhur (Shtojca 1);
  • Dëshmi penaliteti;
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton kryerjen e kualifikimeve, trajnimeve apo specializimeve të ndryshme (nëse disponon).

Numri i anëtarëve të grupit për detyrën përkatëse:

Numri minimal dhe maksimal i anëtarëve të grupit për vlerësimin e jashtëm për akreditim është 3 (tre) anëtarë.

Kohëzgjatja e kontratës:

Kontrata lidhet për një periudhë 4 (katër) mujore ose kjo kontratë do të pranohet e përmbushur kur ka plotësuar pikën “b” të fazës së III-të të nenit nr. 12 si dhe të pikës 5 të nenit 20 në Urdhrin nr. 845 datë 03.07.2025, i Ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit. Kjo kontratë hyn në fuqi nga data e nënshkrimit të saj.

Mënyra e aplikimit dhe afatet

Kandidati duhet të dorëzojë në Zyrën e Administratës së AKAFPK-së me adresë: Rruga Mustafa Lleshi, Kati i III-të, Godina e Thesarit, Tiranë, ose në mënyrë elektronike (të skanuara) në adresën info.akafp@akafp.gov.al dosjen me dokumentet e mësipërme.

Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të përcaktuar sjell skualifikim të kandidatit.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit brenda datës 30 Tetor 2026, ora 14:00.

Të gjitha njoftimet e mëtejshme në lidhje me vazhdimin e procedurave të konkurrimit për këtë shërbim, mund t’i gjeni në adresën e Web Site të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.

Njoftimi do të hidhet në faqen e AKAFPK-së më datë 26 Tetor 2026.