AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

“Olimpiada e Aftësive Profesionale 2015” – MEGATEK, 8 Maj 2015

  1. Kreu
  2. >
  3. Veprimtari
  4. >
  5. “Olimpiada e Aftësive Profesionale…
Për të katërtin vit radhazi, në kuadër të përgjegjësisë sociale, kompania MEGATEK në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, me mbështetjen e GIZ, Swisscontact dhe Vodafone, organizoi projektin e quajtur: “Olimpiada e Aftësive Profesionale 2015 ” Ky projekt synoi promovimin e arsimit profesional në Shqipëri përmes trajnimit e më pas konkurimit të nxënësve të shkollave profesionale të Shqipërisë në mbarë vendin në drejtimet/profilet: Termohidraulikë, Ndërtim, Elektroteknikë, Bujqësi (Kopshtari), Përpunim Druri, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi si dhe Pikturë. Për herë të parë, me ftesë të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, pjesë e këtij konkursi ishin dhe tre grupe nga 5(pesë)nxënës nga “Qëndra e Kompetencës” Skënderaj, Kosovë në drejtimet/profilet Termohidraulik, Ndërtim dhe Elektroteknikë. Këtë vit konkurruan në një ditë të vetme, 49 ekipe, me 270 konkurentë, të mbështetur nga rreth 1500 nxënës, mësues dhe drejtues nga të gjitha shkollat profesionale publike dhe private të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu një konkurrim i veçantë ishte drejtimi i Pikturës ku morën pjesë 30 nxënësit më të mirë të përzgjedhur nga të gjitha shkollat artistike të Shqipërisë si dhe 2 nxënës të shkollës “11 Marsi”, Prizren, nga shkollat artistike të Kosovës. Organizimi dhe financimi i këtij aktiviteti u realizua nga kompania MEGATEK dhe partnerët e saj. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përmes një memorandumi bashkëpunimi kanë siguruar mbështetje në organizimin dhe përfshirjen e të gjitha shkollave profesionale në të gjithë Shqipërinë. Më 8 Maj në ambientet e MEGATEK u zhvillua FAZA FINALE e aktivitetit “Olimpiada e Aftësive Profesionale 2015”. Aktivitet në të cilin u vlerësuan 6 shkolla fituese të vendit të parë në drejtimet: Termohidraulikë, Ndërtim, Elektroteknikë, Bujqësi (Kopshtari), Përpunim druri dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Aktiviteti përfshiu konkurrimin për kompetencat profesionale, të drejtimeve dhe profileve të ndryshme, ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme profesionale, ku ata demonstruan aftësitë, shkathtësitë dhe shprehitë teoriko-praktike, si dhe kompetencat kyçe që nxënësit kanë fituar gjatë gjithë viteve të shkollimit. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me mjediset, materialet dhe pajisjet bashkëkohore, që kompania MEGATEK ofron dhe shpërndan në treg. Ky është projekti më i madh në Shqipëri, i cili bashkoi biznesin, qeverinë dhe organizatat jo fitimprurëse në një iniciativë të përbashkët, që mbështet arsimin profesional. Konkursi u zhvillua në mjediset dhe hapsirat e MEGATEK-ut, Tiranë, ku shkollat sipas profileve u përfaqësuan me ekipe prej 5 nxënësish, të klasave të 12-ta dhe 13-ta të përzgjedhur nga vetë ato. Specialistët e fushave të drejtimeve/profileve të konkurrimit, nga Megatek, partnerë të tij dhe ekspertë të AKAFPK, hartuan testet teorike dhe praktike duke u mbështetur në programet mësimore përkatëse, si dhe në informacionet e reja të siguruara nga ekspertët e kompanisë gjatë trajnimeve të kryera paraprakisht në Megatek. Po ashtu vlerësimi i ekipeve u krye nga një komision i përbashkët me specialistë të fushave të drejtimeve/profileve përkatëse nga Megatek, partnerë të tij si dhe ekspertë të AKAFPK-së në bazë të kritereve dhe specifikimeve të vlerësimit të hartuara dhe të njohura nga pjesëmarrësit në konkurrim. Konkursi “Olimpiada e Aftësive Profesionale” 2014, u realizua në tre faza: Faza e I-rë: Prezantimi i Projektit “ Olimpida e Aftësive Profesonale 2015” në 28 shkollat e mesme profesionale, që ofrojnë kualifikime në drejtimet/profilet: – Termohidraulikë (15 shkolla), 2 shkolla private dhe 1 nga Kosova – Ndërtim ( 4 shkolla ), 1 nga Kosova – Bujqësi (Kopshtari) ( 7 shkolla ) – Përpunim Druri ( 3 shkolla ) – Elektroteknikë (Instalime Elektrike civile dhe industriale) ( 15 shkolla), 2 shkolla private dhe 1 nga Kosova – Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (6 shkolla) Sipas një grafiku, nga data 09 deri më 20 Mars 2015, nëpër shkolla u realizua prezantimi i Projektit “Olimpiada e Aftësive Profesionale 2015” nga grupe specialistësh, të përbërë nga ekspertë të profileve të ndryshme të MEGATEK, përfaqësues të MMSRS dhe AKAFPK, me fokusin : qëllimi i olimpiadës, mënyrat e organizimit të saj, përzgjedhja e 5(pesë) nxënësve përfaqësues për çdo drejtim/profil pjesëmarrës në konkurs si dhe fazat e zhvillimit të trajnimit dhe konkurseve. Faza e II-të: Trajnimi i pjesëmarrësve të konkursit sipas drejtimeve/profileve përkatëse nga ekspertë të huaj (partnerë) të angazhuar nga kompania MEGATEK, në lidhje me informacionet e reja bashkëkohore si dhe metodologjinë e vlerësimit në fushat e mësipërme. Sipas një kalendari, 7, 8, 10, 23, 24, Prill dhe 6 Maj grupet e nxënësve të përzgjedhur (5 nxënës), për çdo shkollë e çdo drejtim/profil, së bashku me mësuesin shoqërues, realizuan trajnimin Teorik – Praktik (1 ditor) në mjediset e kompanisë MEGATEK, me specialistë të fushave të ndryshme, ekspertë të huaj (partnerë) të Megatek, si dhe specialistë të AKAFPK. Për informimin dhe trajnimin e grupeve të nxënësve përfaqësues nga “Qëndra e Kompetencës”, Skënderaj, Kosovë në drejtimet/profilet, Termohidraulikë, Ndërtim dhe Elektroteknikë nga ekspertë të Megatek dhe AKAFPK u realizua një takim më datën 4 Maj 2015. Faza e III-të: Zhvillimi i Konkursit (Teoriko-Praktik), Dita e madhe Dita e madhe u realizua me një Detyrë Teorike-Praktike e cila fokusohej në testin teorik profesional(informacionet e reja marrë gjatë trajnimeve), përzgjedhjen e materialeve, mjeteve, dhe veglave të punës kryerjen dhe leximin e skicave, llogaritjet ekonomike si dhe zbërthimin, montimin dhe funksionin e pajisjeve, sipas drejtimeve/profileve përkatëse duke ju përmbajtur procedurave, standarteve të cilësisë, zbatimin dhe funksionimin e detyrës së dhënë, estetikës, punës në grup dhe ruajtjen e mjedisit dhe sigurimin teknik. Detyra praktike zinte 70 – 80%, të vlerësimit total për të gjitha drejtimet dhe profilet. Ditën e madhe, më 8 Maj, në të cilën u zhvillua “Olimpiada e Aftësive Profesionale 2015”, konkurruan 49 ekipe nxënësish me nga 5 vetë ( 270 nxënës) që u mbështetën nga rreth 1500 nxënës, mësues, drejtues shkollash dhe prindër pothuajse nga të gjitha shkollat profesionale të të gjitha rajoneve të Shqipërisë dhe ato të Kosovës. Gjithashtu në këtë ditë u zhvillua edhe konkurrimi i drejtimit Pikturë, ndërmjet 32 nxënësve të përzgjedhur nga të gjitha shkollat artistike të Shqipërisë dhe Kosovës. Aktiviteti u përshëndet nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Z.Ilir Meta, Zv. ministria e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Znj. Gentjana Sula, Zv. ministria e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Znj. Nora Malaj, presidenti i Kompanisë Megatek, Z. Dionis Teqja si dhe drejtues dhe përfaqësues nga donatorët GIZ, Swisscontact dhe Vodafon, mbështetës të aktivitetit të cilët morën pjesë edhe në ndarjen e çmimeve për fituesit. Në fazën finale, pas përfundimit të vlerësimit u shpallën dhe shkollat fituese. Çmimi i parë, prej 3000 Eurosh, për çdo drejtim/profil u fitua nga: – Shkolla “Pamvarësia”, Vlorë, për drejtimin “Termohidraulikë ” – Shkolla Pyjore “Kolë Margjini”, Shkodër për drejtimin “Përpunim Druri” – Shkolla Profesionale Bujqësore, “Ndre Mjeda”, Bushat për drejtimin “Bujqësi” (profili “Kopshtari”) – Shkolla e Ndërtimit “Karl Gega”, Tiranë për drejtimin “Ndërtim” – Shkolla Profesionale Kombëtare “Beqir Çela”, Durrës për drejtimin “Elektroteknikë” (profili “Instalime elektrike civile dhe industriale”) – Shkolla Profesionale Kombëtare “Kamëz” për Drejtimin “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”. Përveç shkollave fituese, në këtë konkurs u ndanë dhe 6 Çmime për nxënësit fitues të konkursit të drejtimit Pikturë, nga këto 1(një) çmim të parë me 300 Euro, 2(dy) çmime të dyta me 200 Euro dhe 3(tre) çmime të treta me 100 Euro secila, çmime të cilat ju dhanë nxënësve fitues. Çmimi fitues prej 3000 Euro për shkollat profesionale do të akordohet nga kompania MEGATEK në formën e blerjes së materialeve/mjeteve të punës të profilit përkatës, duke u bazuar tek një projekt i propozuar dhe hartuar nga vetë shkollat fituese, të cilat do ti ndihmojnë ato për kryerjen me cilësi të praktikave profesionale. Komisionet vlerësuese paraqitën dhe ekipet e shkollave fituese të vendeve të dyta dhe të treta, për çdo drejtim/profil të cilët u pajisën me certifikatat përkatëse. Njëkohësisht, të gjithë nxënësit pjesëmarrës në konkurrim u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje. Pjesëmarrja e madhe e gjithë shkollave profesionale të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe angazhimi që paraqitën ata në “Olimpiadën e Aftësive Profesionale 2015” tregoi që të gjithë ishin fitues!