AGJENCIA KOMBËTARE E ARSIMIT, FORMIMIT PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMEVE

[ivory-search id=”1574″ title=”test”]

Pilotimi i vlerësimit të kandidatëve për Njohjen e të Nxënit Informal dhe Joformal në Shqipëri, Nëntor 2014

  1. Home
  2. /
  3. Veprimtari
  4. /
  5. Pilotimi i vlerësimit të…
Në vazhdim të procesit të pilotimit të vlerësimit të kompetencave të fituara në kontekste jo formale dhe informale – proces, i cili mbështetet nga Projekti ILO – BE IPA 2010 “Për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore në Shqipëri” dhe nën drejtimin e ekspertes Mikaela Kets – në datat 4-7 Nëntor 2014, u realizuar pilotimi i vlerësimit të kandidatëve, për profesionin e Teknikut të Prodhimit të Linjës në Konfeksione. Vlerësimi u realizua në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë e biznesit të fasonerisë “OMEGA”, “TONI GRUP”, “DELTA” dhe “SYMBOL”. Kandidatët fillimisht plotësuan formularin e “Vetëvlerësimit”, ku kërkohej informacion nga ata vetë se çfarë njohurish zotëronin dhe cilat prej detyrave (kompetencave) ishin në gjëndje të përmbushin në profesionin e Teknikut të Prodhimit të Linjës në Konfeksione. Vlerësuesit zhvilluan bashkëbisedim të shkurtër me kandidatët për saktësimin e informacionit që përmbante formulari i vetëvlerësimit. “Portofoli” ishte instrumenti i vlerësimit, në të cilin kandidatët kishin përfshirë të gjitha dëshmitë që dispononin në lidhje me mallra/ shërbime/ punë të kryera nga ata, apo dëshmi trajnimi, regjistrime audio-vizive etj. Më pas, kandidatët u testuan për njohuritë teorike me anë të instrumentit tjetër të vlerësimit “Test me shkrim”. “Vëzhgimi i drejtpërdrejtë” ishte instrumenti i vlerësimit, që u përdor për vëzhgimin e përmbushjes së kompetencave praktike të kandidatëve në mjediset reale të punës. Si bazë për gjykimin e arritjeve të kandidatëve dhe për deklarimin e kompetencave të fituara prej tyre u përdorën kritere dhe specifikime të caktuara. Vetë instrumentet e vlerësimit të pilotuara u testuan, për sa i takon cilësisë dhe prakticitetit të zbatimit në kontekstin shqiptar. Punonjësit e Sektorit të Vlerësim-certifikimit të Nxënësve dhe Akreditimit të Ofruesve të AFP-së, pranë Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve mbikqyrën dhe vëzhguan mënyrën e zbatimit të instrumenteve të vlerësimit nga ana e vlerësuesve, si një moment ky i rëndësishëm për një vlerësim të besueshëm dhe real të kandidatëve. Në përmbyllje, mund të thuhet se për të gjithë pjesëmarrësit në këtë event ky proces ishte, ndër të tjera, një proces të nxëni, që ndihmon në ngritjen e kapaciteteve për instalimin në të ardhmen të sistemit të Njohjes së të Nxënit Informal dhe Joformal në Shqipëri.