Në datën 10 korrik 2015, në ambjentet e Hotel Mondial, në Tiranë u zhvillua Takimi për Ndërgjegjësimin e Bizneseve mbi Skemat e Mësimit të Profesionit në vendin e punës,në kuadër të projektit “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”, Programi ERASMUS+ për Shqipërinë, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian.
Në këtë takim shumë të rëndësishëm të këtij Projekti pati një pjesëmarrje të gjerë të aktorëve që veprojnë në fushën e sektorit te mikpritjes.
I pranishëm në këtë takim ishte gjithashtu Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, i cili vuri theksin në rëndësinë e stafit të kualifikuar në biznese ,ndaj një hap i mirë drejt kësaj është pranimi në strukturat e tyre të të rinjve që arsimohen në shkollat profesionale si një faktor kyç për të rritur cilësinë e shërbimit.
Gjatë këtij takimi, përveç prezantimit të projektit “Skemat e Çirakërisë për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”, u diskutua, gjithashtu, për të nxënit në vendin e punës në sistemin e arsimit profesional në Shqipëri. Pjesë e diskutimeve ndërmjet përfaqësuesve të biznesit dhe AKAFPK-së ishte zbatimi në kontekstin shqiptar i skemës së çirakërisë bazuar në modelin gjerman të arsimit dual, i cili u prezantua nga znj. Sabine Hartig, drejtuese e Programit per Arsimin Profesional të GIZ-së.
Në fund të takimit u zhvillua ceremonia e firmosjes së Marrëveshjes së Partneritetit midis AKAFPK dhe Bizneseve të sektorit të mikpritjes, të cilët ishin të pranishëm në këtë aktivitet.
Organizimi dhe realizimi me sukses i takimit u mundësua nga Agjencia Kombëtaree Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA) dhe Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).