Agjencia për Arsim, Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur në Kosovë zhvilloi një vizitë studimore e bashkëpunuese pranë Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) në Tiranë më 26 maj 2017.
Qëllimi kryesor i takimit ishte prezantimi i dy institucioneve në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit të tyre në të ardhmen.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të AAAPARr-së dhe AKAFPK-së.
Drejtorja e AKAFPK-së, zonja Sonila Limaj përshëndeti të pranishmit dhe bëri një panoramë të përgjithshme të institucionit që ajo drejton. Drejtori i përgjithshëm i AAAPARr-së Zoti Ferit Idrizi, në emër të institucioni përfaqësues, paraqiti shkurtimisht zhvillimet e fundit në Arsimit dhe Formimit Profesional në Kosovë.
Pas një prezantimi të institucioneve, të objektivave dhe përgjegjësive të tyre u diskutua lidhur me çështje të përbashkëta si: zbatimi i Kornizës Kombëtare të Kualifikimit, zhvillimi i standardeve të profesioneve dhe kualifikimeve në përputhje me kërkesat e tregut të punës, skelet-kurrikulat e AFP-së, provimet përfundimtare etj.
Pas pyetjesh e diskutimesh u evidentuan ngjashmëritë e institucioneve, urat lidhëse dhe bashkëpunuese në të ardhmen në mbështetje të objektivit kryesorë të institucioneve – sigurimi i cilësisë së arsimit profesional dhe përafrimi i ofertës së kualifikimeve profesionale me kërkesat e tregut të punës.Pjesëmarrësit nga Kosova propozuan për një bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e AFP-së në të ardhmen.